SHOQËRIA X KUNDËR DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË PRONËSISË INDUSTRIALE, VENDIMI NR. 80-2020-1753, datë 27.07.2020, SHFUQIZIM I AKTIT ADMINISTRATIV TË BORDIT TË APELIT TË DPPI
Objekti i padisë: 1. Shfuqizimi i aktit administrativ nr. 66/16, datë 11.09.2019 i Bordit të Apelit të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale (“DPPI”). 2. Vazhdimi i procedurave nga DPPI për regjistrimin e markës B-52 me numër aplikimi AL/T/2018/66 në emër të paditësit.
Gjyqtari: {…}
Fjalët kyçe: markë tregtare, ngjashmëri, çorientim, publiku, konsumatori, produkt, refuzim.
Ligji dhe dispozitat ligjore përkatëse: Nenet 142, 150, 184 të Ligjit nr. 9947, datë 07.07.2008 “Për Pronësinë Industriale”, i ndryshuar; Nenet 100, 113, 114, 139 të Kodit të Procedurave Administrative; Ligji nr. 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”.
Faktet kryesore:
Pala paditëse Shoqëria {X} sh.p.k., është pronare e markës tregtare B-52, pije energjike,
pronësi të cilën ajo e ka fituar nëpërmjet transferimit të pronësisë me anë të kontratës së shitjes të
datës 16.06.2010 nga shoqëria e së drejtës maqedonase {Y}. Marka tregtare në Republikën e
Shqipërisë është regjistruar fillimisht nga subjekti {Z}, me datë aplikimi 18.04.2008 dhe me datë
regjistrimi 06.11.2008, me kohëzgjatje të mbrojtjes deri në datë 18.04.2018.
Me vendimin nr. 7121, datë 24.06.2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është
vendosur shfuqizimi i mbrojtjes së markës B-52 me nr. regjistrimi 1082916, me pronar palën
paditëse në këtë gjykim Shoqëria {X}. Vendimi është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit me
vendimin me nr. 1868, datë 06.05.2014. Gjykata e Lartë me vendimin (112), të datës 05.10.2017
ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit, duke marrë vendimi formë të prerë.
Paditësi ka paraqitur pranë DPPI në datën 23.10.2018 kërkesën për regjistrimin e markës
B-52, me numër aplikimi AL/T/2018-66. Pala e paditur DPPI pasi është njohur me këtë aplikim
për regjistrimin e markës me numër kërkese AL/T/2018/66, të paraqitur nga pala paditëse, ka
nxjerrë aktin nr. 66/10, dt. 02.10.2018 "Njoftim për refuzimin e regjistrimit të markës”. Shkaku i
cituar në këtë vendimmarrje si shkak për refuzimin e regjistrimit të kësaj marke është fakti se
marka me nr. aplikimi AL/T/2018/66 sipas palës së paditur rezulton identike me markën me nr.
regjistrimi ndërkombëtar 1082916, mbi të cilën aplikanti e ka humbur të drejtën e pronësisë me
vendim të gjykatës së formës së prerë.
Pala paditëse e ka ankimuar këtë vendim në rrugë administrative. Në kuadër të shqyrtimit
të ankimit administrativ rezulton se pala e paditur me aktin me nr. 66/13 prot., datë 01.02.2019
ka vendosur lënien në fuqi të qëndrimit të saj të mëparshëm të pasqyruar në aktin me nr. 66/10,
dt. 02.10.2018 "Njoftim për refuzimin e regjistrimit të markës”.
Pala paditëse e ka ankimuar edhe këtë vendim në rrugë administrative. Në kuadër të
shqyrtimit të ankimit administrativ rezulton se pala e paditur, Bordi i Apelit me aktin me nr.
66/16 Prot., datë 07.06.2019 ka vendosur lënien në fuqi të qëndrimit të saj të mëparshëm të
pasqyruar në vendimin me nr. 66/13, datë 01.02.2019 të Dhomës për shfuqizim/zhvlerësim.
Pala paditëse duke mos qenë dakord me këto vendimmarrje të palës së paditur paraqet
këtë padi në gjykatë.
Pala paditëse pretendon:
- Vendimi gjyqësor i Gjykatës së Lartë nuk është pjesë përbërëse e listës shteruese të shkaqeve të
parashikuara në nenin 142 të ligjit nr. 9947 për pronësinë industriale. Gjithashtu, në lidhje me
zbatimin e këtij vendimi pala paditëse pretendon se në rastin konkret nuk gjen zbatim ky vendim,
pasi aplikimi me numër AL-T-2018-66 nuk ishte objekt ankimi si dhe vendimi nr. 1868 të cilit i
referohet DPPI-ja, nuk ka të njëjtin objekt dhe as të njëjtin shkak ligjor me çështjen që është në
shqyrtim në DPPI.
-Në vendimarrjen e tij Bordi i Apelit ka cënuar parimet e procesit të rregullt ligjor pasi nuk ka
marrë parasysh pretendimet e palës paditëse dhe argumentet e tyre kur ka nxjerrë vendimin
numër 66/2016.
-Në lidhje me markën, kjo palë pretendon se marka ndërkombëtare B-52, me numër
ndërkombëtar IR1082916 ka statusin e "shfuqizuar nga gjykata”, që do të thotë se, pas
shfuqizimit kjo markë nuk ekziston më. Rrjedhimisht, DPPI nuk mund t’i referohet një marke që
nuk ekziston, por vetëm një marke tjetër identike të mëparshme që ekziston.
-DPPI-ja nuk argumentoi apo tregoi se cilët elemente të markës B-52 kanë prirje të çorientojnë
publikun për natyrën, cilësinë, origjinën gjeografike, ose tregtare të mallrave që ajo ka për qëllim
të dallojë, bazuar kjo edhe në “Udhëzuesit për Ekzaminimin e Markave Tregtare dhe Dizenjove
të Bashkimit Europian në Zyrën e Pronësisë Intelektuale të Bashkimit Europian”.
Marka B-52 nuk përmban asnjë element tregues apo përshkrues të natyrës, cilësisë apo origjinës
gjeografike dhe tregtare të mallrave që kërkon të dallojë, siç ndalohet në gërmën (e) të pikës 1 të
nenit 142 të Ligjit 9947. Po ashtu, marka B-52 nuk është kontradiktore në raport me natyrën,
cilësinë apo origjinën gjeografike dhe tregtare të mallrave të saj.
-Përkundrazi, marka B-52 është dalluese për mallrat “Birra; ujra minerale e të gazuar dhe pije të
tjera jo-alkoolike; pije frutash dhe lëngje frutash; shurupe dhe preparate të tjera për përgatitjen e
pijeve, pije energjike.”
I Padituri prapëson:
Pas krahasimit të markës së shfuqizuar me këtë vendim gjyqësor dhe të markës së paraqitur për
regjistrim me aplikimin AL/T/2018-66, në kuptim të ligjit rezulton të jemi para të njëjtës markë.
-Nuk mund të regjistrohet një markë identike me një markë të mëparshme të shfuqizuar nga
gjykata.
-Kjo markë nëse do të regjistrohej, jo vetëm do të binte ndesh me vendimin gjyqësor, por për më
tepër do të sillte çorientim te publiku.
Vendimi:
Gjykata vendosi se kërkesa e paraqitur nga pala paditëse Shoqëria {X} pranë palës së paditur DPPI për regjistrimin e produktit B-52 me aplikimin me Nr. ALT/T/2018-66 është një kërkesë që bie ndesh me nenin 142 të Ligjit për Pronësinë Industriale dhe si rrjedhojë vendosi rrëzimin e padisë së palës paditëse.
Arsyetimi i gjykatës:
Procesi gjyqësor kërkon në mënyrë të njëkohshme të provohen dy elementë për zgjidhjen e drejtë
të çështjes:
-Ekzistenca apo jo e një të drejte të ligjshme në themel të padisë; dhe
-Ekzistenca apo jo e një vendimmarrje jo ligjore apo ligjore e palës së paditur organ publik.
Pas verifikimit të njëkohshëm të të dy këtyre elementëve gjykata konkludoi se pala paditëse me
këtë padi nuk ka një të drejtë të ligjshme të lindur dhe të pranishme në kohën e gjykimit. Gjykata
arriti në këtë përfundim pasi konkludoi se kërkesa e palës paditëse për regjistrimin e markës B-
52 me numër aplikimi AL/T/2018/66 në emër të paditësit nuk gjen mbështetje në ligj dhe bie
ndesh me nenin 142 të ligjit për pronësinë industriale.
Gjykata ka arsyetuar se pala paditëse ka detyrimin për të provuar në gjykim se marka që ajo
kërkon të regjistrojë, jo vetëm që nuk është markë e përjashtuar nga ligji për regjistrim, por është
një markë në përputhje me këtë ligj. Kjo është mënyra që pala paditëse të provojë legjitimimin e
saj aktiv në gjykim dhe faktin se ajo është zotëruese e një të drejte ligjore.
Nga hetimi i çështjes rezultoi se regjistrimi i kësaj marke do të çorientojë publikun pasi, që në
momentin kur publiku bie në kontakt me këtë markë dhe konsumon produktin, krijohet
konfuzion dhe çorientim te publiku, për këto arsye:
-Për shkak të ngjashmërisë së saj me markën tregtare B-52, pije energjike me datë regjistrimi
19.02.2008 dhe me nr. regjistrimi 1153546.
-Për shkak të ngjashmërisë së saj me markën që ka ekzistuar më parë në treg B-52 në emër të
vetë palës paditëse, Shoqëria „(
h)” me nr. regjistrimi 1082916.
Gjykata arriti në këtë konkluzion pasi vlerësoi se marka që kërkohet të regjistrohet ka të bëjë me
të njëjtën natyrë produkti me të dy produktet e tregtuara, në respektim të të drejtave të fituara më
parë nga subjektet respektive dhe që kanë ekzistuar në treg dhe për konsum në publik,
pavarësisht se njëra markë sot është e ç’regjistruar.
Publiku është indiferent në lidhje me njohjen e detajeve procedurale të regjistrimit dhe
ç’regjistrimit të markave nga DPPI apo subjektet private, por njeh dhe vlerëson produktin që i
ofrohet në konsum në një kohë të caktuar. Publiku si një vëzhgues dhe përdorues i produkteve të
tregtuara nën këto marka në kohë, bëhet konfuz dhe çorientohet kur në kohë të ndryshme i
ofrohen për konsum tre pije energjike nga markat e sipërcituara dhe nga marka që kërkohet të
regjistrohet nga pala paditëse. Publiku dhe konsumatori në jetëgjatësinë e tij vihet në kontakt në
kohë të ndryshme me produkte me një ngjashmëri të një niveli të lartë që sjell konfuzion për një
vëzhgues objektiv dhe me njohje të nivelit mesatar të tregut, të produktit dhe të konsumit të vetë
produktit që i ofrohet në kohë.
Ky moment është evident pasi kjo markë që kërkohet të regjistrohet nuk ka asnjë kriter dallues
apo identifikues të saj, në mënyrë që të shmangë çorientimin në kohë të publikut, në raport me
mallin që tregtohet me këtë markë.
Commented [DLE1]: Në kushtet kur parashikimet ligjore i janë nënshtruar analizës nga gjykata në vendimmarrjen e saj, mund të mos jenë pjesë e përmbledhjes, të cituara në mënyrë literale, pasi mund të japë idenë që e mbingarkojnë përmbledhjen.
Gjykata, ka arritur në përfundimin se me të drejtë pala e paditur DPPI ka analizuar në
vendimmarrjen e saj se si rezultat i krahasimit të dy shenjave të mësipërme, Dhoma për
shfuqizim/zhvlerësim ka vlerësuar se të dyja markat janë identike, sepse marka me nr. aplikimi
Al/T/2018/66 përmban të riprodhuara në mënyrë identike, të pozicionuara identikisht dhe me të
njëjtat proporcione, të gjithë elementët e markës së shfuqizuar. Diferenca e vetme që rezulton
nga krahasimi i hollësishëm i çdo elementi, është rrumbullakësia e këndeve të elementëve literalë të markës me nr. aplikimi Al/T/2018/66. Mirëpo, për shkak të vlerës tepër të vogël që diferencat
kanë në këtë krahasim, ndryshimi i sjellë nga ky shkak vlerësohet i papërfillshëm dhe si rrjedhim
markat vlerësohen identike.
Gjithashtu, gjykata ka analizuar se i drejtë vlerësohet edhe argumentimi i bërë nga pala e paditur
në raport me faktin se krahas ngjashmërisë së sipërcituar mes markës që kërkohet të regjistrohet
me aplikimin me Nr. AL/T/2018-6 me markën e regjistruar dhe të ç’regjistruar më parë në kohë
nga e njëjta palë paditëse, kjo markë ka të njëjtin raport edhe me markën tregtare B-52, pije
energjike, aktualisht e regjistruar dhe me mallra të hedhura në tregun aktiv.
Si rrjedhojë gjykata konkludoi se pala paditëse nuk arriti të provojë para gjykatës që është
zotëruese e një të drejte ligjore, ndërsa pala e paditur provoi në gjykim ngjashmërinë e markës që
kërkohet të regjistrohet me markën tregtare B-52, pije energjike me datë regjistrimi 19.02.2008
dhe me nr. regjistrimi 1153546 si dhe me markën që ka ekzistuar më parë në treg B-52, në emër
të vetë palës paditëse, me nr regjistrimi 1082916.