L I G J
Nr.9124, datë 29.7.2003
PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR.8410, DATË 30.9.1998 "PËR RADION DHE
TELEVIZIONIN PUBLIK DHE PRIVAT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË",
I NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të
Ministrave,
K U VE N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
Në ligjin nr.8410, datë.30.9.1998 "Për radion dhe televizionin publik dhe privat në
Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, bëhen shtesat si më poshtë:
Neni 1
Pas nenit 40 shtohen nenet 40/1 dhe 40/2 me këtë përmbajtje:
"Neni 40/1
Detyrimi për depozitimin e dokumentacionit të së drejtës së transmetimeve
Operatorët radiotelevizivë transmetojnë programe të prodhuara nga ata vetë, në
bashkëprodhim me të tjerë, me marrëveshje me kontratë shitjeje, shkëmbimi ose dhurimi.
Operatorët radiotelevizivë detyrohen të identifikojnë, me figurë ose me zë, si dhe të
dokumentojnë programet e përcaktuara në paragrafin e parë, duke përcaktuar llojin e
programit, realizuesin dhe zotëruesin të pronësisë mbi programin.
Operatorët radiotelevizivë të licencuar detyrohen të depozitojnë pranë Këshillit Kombëtar
të Radios dhe Televizionit dokumentacionin që vërteton se zotërojnë të drejtën e transmetimit
të programeve me marrëveshje me kontratë shitjeje, shkëmbimi ose dhurimi.
Neni 40/2
Moslejimi i transmetimit të programeve me shenjën dalluese
të operatorëve radiotelevizivë të huaj
Operatorët radiotelevizivë, me përjashtim të operatorëve të licencuar për transmetime
programesh të huaja, me përsëritës radioteleviziv, nuk lejohen të transmetojnë programin me
shenjën dalluese të operatorëve radiotelevizivë të huaj.
Bëjnë përjashtim transmetimet e programeve të përkthyera në gjuhën shqipe, edhe kur
transmetimi i tyre është i drejtpërdrejtë, të rregulluara me marrëveshje mes palëve, në
përputhje me kriteret e përcaktuara në licencë.".
Neni 2
Pas nenit 54 shtohet neni 54/1 me këtë përmbajtje:
"Neni 54/1
Për transmetimin e reklamave radiotelevizive, operatorët radiotelevizivë duhet zotërojnë
të drejtën e transmetimit të tyre në Shqipëri.".
Neni 3
Pas nenit 136 shtohet neni 136/1 me këtë përmbajtje:
"Neni 136/1
Operatorët radiotelevizivë të licencuar nga KKRT-ja për përhapjen e programeve
radiotelevizive në rrjetin tokësor kanë të drejtë të ritransmetojnë programet e tyre edhe në
rrjetin satelitor. Operatorët radiotelevizivë të licencuar nga KKRT-ja për përhapjen e
programeve radiotelevizive në satelit kanë të drejtë të ritransmetojnë programet e tyre edhe në
rrugë tokësore. KKRT-ja përcakton kushtet përkatëse në përputhje me këtë ligj.
Neni 4
Në nenin 137/4, pas pikës 6 të paragrafit të parë shtohet pika 7 me këtë përmbajtje:
" 7. Me gjobë nga 200 000 deri në 1 000 000 lekë, kur transmetojnë programe që nuk i
kanë prodhuar vetë dhe për të cilat nuk kanë marrëveshje, kontratë shitjeje, shkëmbimi ose
dhurimi nga subjektet e tjera radiotelevizive, prodhuesit apo shpërndarësit e autorizuar të tyre.
Gjoba vendoset nga KKRT-ja me nismën e saj ose pas ankimit të operatorëve. Përsëritja e
kësaj shkeljeje më shumë se 5 herë dënohet me uljen deri në 50 për qind të afatit të licencës.
Në rast ripërsëritjeje shkelja ndëshkohet me heqjen e licencës. Ndëshkimi me gjobat e
mësipërme është i vlefshëm edhe për Radio Televizionin Shqiptar."
Neni 5
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekret nr.3932, datë 14.8.2003 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,
Alfred Moisiu