V E N D I M
Nr. 313, datë 13.6.2000
PËR FUNKSIONIMIN E DREJTORISË SË PATENTAVE DHE MARKAVE
Në mbështetje të neneve 100 dhe 118 të Kushtetutës dhe të nenit 15, të ligjit nr.8477, datë 22.4.1999, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7819, datë 27.4.1994, “Për pronësinë industriale”, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Fillimin e veprimtarisë së Drejtorisë së Patentave dhe Markave si institucion qendror publik, në varësi të Këshillit të Ministrave.
2. Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës nga buxheti i miratuar për vitin 2000, i zbriten 2 (dy) milionë lekë, dhe i vihen në dispozicion të Drejtorisë së Patentave dhe Markave, nga të cilat 1 255 000 lekë të detajuara për paga dhe sigurime shoqërore, dhe 745000 lekë për shpenzime operative. Efektet e tjera financiare, që mund të lindin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga të ardhurat e krijuara nga vetë Drejtoria e Patentave dhe Markave.
3. Ngarkohet Drejtoria e Patentave dhe Markave, që në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, të hartojnë udhëzimin e përbashkët për përdorimin e të ardhurave.
4. Inventari fizik, që zotëron Drejtoria e Patentave dhe Markave pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, i kalon Drejtorisë së Patentave dhe Markave, pranë Këshillit të Ministrave.
5. Selia e Drejtorisë së Patentave dhe Markave të jetë në mjediset që i takojnë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, sipas shkresës nr.2141/1, datë 21.10.1997.
6. Struktura dhe organika e Drejtorisë së Patentave dhe Markave përcaktohet me urdhër të Kryeministrit, mbi bazën e propozimit të bërë nga kjo drejtori.
7. Drejtoria e Patentave dhe Markave ngarkohet të nxjerrë rregulloren e saj, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Ilir Meta