shoqërohet me pagesën përkatëse për hetim, të përcaktuar nga zyra e zgjedhur prej aplikantit, e cila do të kryeje hetimin, si dhe koston e transferimit të pagesës së raportit të kërkimit.
6.3 DPPI-ja, sipas rastit, mund t’i kërkojë aplikantit të depozitojë përkthimin në gjuhë tjetër të pretendimeve apo dhe të të gjithë përshkrimit të patentës për ta përcjellë atë në zyrën që do të hartojë raportin e kërkimit.
6.4 Kërkesa për hartimin e një raporti kërkimi duhet të përmbajë: a) Të dhënat e aplikantit (emri i personit juridik, kodi, adresa, kodi shtetëror, emri, mbiemri i
personit fizik, adresa, kodi shtetëror, adresa e postës elektronike); b) Të dhënat e përfaqësuesit, në rast se kërkesa për kryerjen e një raporti kërkimi paraqitet nga
përfaqësuesi i autorizuar (emri i përfaqësuesit të autorizuar, kodi, adresa, kodi shtetëror, adresa e postës elektronike);
c) Statusin e aplikantit; ç) Të dhënat e aplikimit të mëparshëm, nëse është pretenduar për prioritet; d) Nënshkrimin e aplikantit ose të përfaqësuesit të tij; dh) Autorizimin e përfaqësimit, në rast se aplikimi depozitohet nga një përfaqësues i autorizuar. 6.5.Aplikuesi ose përfaqësuesi i tij është përgjegjës për korrektësinë e kërkesës së paraqitur, sipas
pikave 6.1 deri në 6.4, të këtij neni, dhe i nënshtrohet të gjitha pasojave që lidhen me informacionin e pasaktë të dorëzuar.
7. Shqyrtimi nga DPPI-ja i kërkesës për hartimin e raportit të kërkimit 7.1 Pas përfundimit të ekzaminimit për formalitetin aplikimit, për të cilin është kërkuar hartimi i
raportit të kërkimit, dhe pas aprovimit nga sektori i patentave se aplikimi përmbush kërkesat formale të ekzaminimit, DPPI-ja e përcjell kërkesën për hartimin e raportit të kërkimit në zyrën e zgjedhur nga aplikanti dhe e informon atë ose përfaqësuesin e tij për këtë fakt.
7.2 Nëse, pas ekzaminimit për formalitetin e aplikimit, për të cilin është kërkuar hartimi i raportit të kërkimit, është marrë vendim nga zyra për refuzimin e aplikimit, DPPI-ja do ta konsiderojë të dorëhequr kërkesën e depozituar për hartimin e raportit të kërkimit, do të njoftojë me shkrim aplikantin dhe do t’i kthejë atij pagesat e depozituara për hartimin dhe transferimin e pagesës së raportit të kërkimit.
7.3 Aplikanti për patentë, për të cilën është depozituar një kërkesë për hartimin e raportit të kërkimit, ose përfaqësuesi i tij, pas marrjes së njoftimit nga DPPI-ja se aplikimi i plotëson kushtet formale për ekzaminim, sipas pikës 7.1, duhet të depozitojë në gjuhën angleze të gjithë aplikimin për patentë (pretendimet, abstraktin, përshkrimin e shpikjes, të dhënat e aplikimit për patentë si dhe vizatimet).
7.4 Aplikanti është përgjegjës për pasojat që rrjedhin nga përkthimi i pasaktë i dokumenteve të aplikimit.
KREU III KRITERET PËR ELEMENTET E KËRKESËS PËR PATENTË
PËRSHKRIMI, PRETENDIMET, ABSTRAKTI DHE VIZATIMET
1. Përshkrimi i shpikjes 1.1 Përshkrimi i shpikjes duhet të përmbajë: a) titullin e shpikjes siç paraqitet në kërkesë. Titulli i shpikjes duhet të jetë i shkurtër dhe sa më
përfaqësues; b) fushën e teknikës me të cilën lidhet shpikja; c) pjesët e arritjeve të mëparshme, të cilat për aq sa njihen nga paraqitësi i kërkesës, mund të jenë të
dobishme për të kuptuar e shqyrtuar shpikjen dhe mundësisht të citohen dokumentet që e pasqyrojnë atë; ç) shpjegimin e shpikjes në mënyrë që ajo të jetë e kuptueshme për specialistët e fushës dhe të
paraqesë efektet e avantazheve të saj, në qoftë se ka, duke iu referuar arritjeve të mëparshme; d) përshkrimin e elementeve treguese të vizatimeve, në qoftë se ka; dh) një përshkrim të mënyrës më të mirë të menduar nga paraqitësi i kërkesës për të vënë në zbatim
shpikjen. Kjo duhet të bëhet me anë të shembujve si dhe, kur është e përshtatshme, duke iu referuar vizatimeve, në qoftë se ka;
e) të tregojë në mënyrë të përcaktuar, kur nuk rezulton nga përshkrimi ose natyra e shpikjes, mënyrën me të cilën shpikja është e zbatueshme në industri dhe mënyrën me anë të së cilës ajo mund të prodhohet ose përdoret ose, në qoftë se ajo vetë mund të përdoret, mënyrën me të cilën mund të përdoret.
1.2 Mënyra dhe renditja e specifikuar në pikën 1.1 ndiqet gjithmonë, përveç rasteve kur për shkak të natyrës së shpikjes, një mënyrë ose një renditje e ndryshme do të rezultonte më e kuptueshme.
2. Forma dhe përmbajtja e pretendimeve për shpikjen