V E N D I M
Nr. 309, datë 13.6.2000
PËR TARIFAT E PËRDORUESVE TË PRONËSISË ARTISTIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr.8594, datë 4.2.2000, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7564, datë 19.5.1992, “Për të drejtën e autorit””, të nenit 23, të ligjit nr.8410, datë 30.9.199, “Për radion dhe televizionin, publik dhe privat, në Republikën e Shqipërisë”, ne propozimin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Palët kontraktuese në kontratat me shoqëritë e autorëve, për përdorimin e pronësisë artistike, t’i përmbahen këtyre tarifave:
1.1. Kanalet televizive publike: 2.5-3.5 milionë lekë të buxhetit të tyre.
1.2. Radiot publike: 500 000 – 800 000 lekë buxhetit të tyre.
1.3. Radiot lokale publike: 150 000-300 000 lekë të buxhetit të tyre.
1.4. Televizionet lokale publike: 500 000-1 000 000 lekë të buxhetit të tyre.
1.5. Kanalet televizive kombëtare, private: 1 000 000-2 000 000 lekë të buxhetit të tyre.
1.6. Kanalet televizive rajonale private: 500 000-1 000 000 lekë të buxhetit të tyre.
1.7. Radiot private kombëtare ose radiot private të huaja, që njehsohen me to, brenda territorit shqiptar: 400 000-700 000 lekë të buxhetit të tyre.
1.8. Radiot private rajonale ose radiot e huaja, që njehsohen me to, brenda territorit shqiptar: 300 000-500 000 lekë të buxhetit të tyre.
2. Sallat, që nuk kanë qëlim kryesor shfaqjet muzikore, filmat, varietetë, spektaklet si: Pallati i Kongreseve, stadiumet, pallatet e sportit për lojëra me dorë, amfiteatre në mjedise të hapura etj, nënshkruajnë kontratë qiradhënieje me trupa të ndryshme, vetëm pasi qiradhënësi paraqet kontratën me shoqatat e autorëve: 4 për qind – 5 për qind të çmimit të biletave të shitura.
2.1. Diskotekat, klubet e natës, pianobaret, restorante me pistë vallëzimi: vlera e çmimit mesatar të pijeve alkoolike për një ditë pune deri në 30 vende ulur. Për lokalet me mbi 30 vende ulur llogaritet në mënyrë proporcionale tarifa si më sipër.
2.2. Për restorantet dhe kafenetë: vlera e çmimit të kafesë së konsumuar për një ditë pune, ndërsa për lokalet me mbi 30 vende ulur tarifa llogaritet në mënyrë proporcionale, si më sipër.
2.3. Sallat e shfaqjeve kinematografike: 2 për qind – 2.5 për qind të arkëtimit të biletave të shitura.
2.4. Teatrot dramatike, varietete, teatrot e operas, arenat e cirkut, teatrot e kukullave 1.5 për qind – 2 për qind të arkëtimit të biletave të shitura.
2.5. Kur sallat e pikës 2.4 u jepen me qira subjekteve të tjera zbatohet detyrimi i pikës 2.
2.6. Për trenat, anijet, tragetet, autobusët, avionët 0.1 për qind të çmimit të biletave të shitura, të llogaritura në monedhën që përdorin.
2.7. Për hotelet, motelet, që përdorin muzikë në mjediset e tyre: kafene, pianobare, restorante me pistë vallëzimi, doskoteka, muzikë holle, zbatohen tarifat e përcaktuara në pikën 2.1.
2.8. Hotelet dhe motelet, që kanë aparate televizive nëpër dhoma: 2 për qind-2.5 për qind të çmimit të dhomave për çdo ditë.
2.9. Prodhuesit dhe shitësit e kasetave, vidiokasetave dhe kompaktdisqeve: 7.5 për qind – 9.5 për qind të çmimit të shitjes.
2.10. Subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e dhënies me qera të kasetave, vidokasetave dhe kompaktdisqeve: 3.5 për qind – 4.5 për qind, të çmimit të qiradhënies për çdo kasetë.
3. Firmat e licensuara për vendosjen e internetit: 2.5 për qind – 3.5 për qind të shumës për çdo pajtimtar.
3.1. Sallat e aerobisë, të gjimnastikës artistike, palestrat e veglave të forcës, salla patinazhi artistik, kur përdorin muzikë: 1.5 për qind – 2 për qind të të ardhurave për çdo pajtimtar.
3.2. Lojërat e fatit si telebingot, bastet, sallat me lojërat e fatit: 1.5 për qind – 2 për qind të çmimit më të lartë fitues për çdo spektakël.
4. Ngarkohen ministri i Financave dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të nxjerrin një udhëzim të përbashkët për zbatimin e këtij vendimi.
5. Vendimi nr.342, dtë 3.7.1995, i Këshillit të Ministrave, “Për tarifat për përdoruesit e pronësisë artistike” shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Ilir Meta