PROKURORIA KUNDËR A.H, VENDIMI nr.2091, datë 12.07.2017, SPC PËR KRYERJEN E VEPRËS PENALE “SHKELJE E TË DREJTAVE TË PRONËSISË INDUSTRIALË”, KRYER NË BASHKËPUNIM, PARASHIKUAR NGA NENI 149/A/2 I KODIT PENAL DHE PËR KRYERJEN E VEPRËS PENALE “PRODHIMIT TË KUNDRALIGJSHËM TË ARTIKUJVE DHE MALLRAVE INDUSTRIALË DHE USHQIMOR TË KRYER NË BASHKËPUNIM”, PARASHIKUAR NGA NENI 288/A/2 I KODIT PENAL.
AKUZA: Për kryerjen e veprës penale “Shkelje e të drejtave të pronësisë industriale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 149/a/2 i Kodit Penal dhe për kryerjen e veprës penale “Prodhimit të kundraligjshëm të artikujve dhe mallrave industriale dhe ushqimore të kryer në bashkëpunim” parashikuar nga neni 288/a/2 i Kodit Penal.
Gjyqtarët: T.L.M A.A A.K
Fjalët kyç:
Markë tregtare, prodhim në mënyrë të kundraligjshëm i artikujve industrialë, tregje të pakontrolluara, produkte të palicensuara, i pafajshëm, amnisti, përgjegjësi penale për moskallëzim krimi, gjykim i shkurtuar, dënim me burg.
Ligji dhe dispozitat ligjore përkatëse: Kodi i Proçedurës Penale nenet 375, 379, 383, 384, 388/d, 390, 403-406, nenet 1/c, 47-50, 149/a/2, 288/a/2 dhe 300/1 të Kodit Penal, si dhe Ligji nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”.
Faktet kryesore:
Në një banesë në Tiranë ku prodhoheshin në mënyrë të kundërligjshme artikuj industrialë, janë kryer vëzhgimet përkatëse dhe ka rezultuar se rreth orës 7:00 të datës 24.06.2016 nga banesa ka dalë një automjet i markës “Benz”, i cili drejtohej nga shtetasi A.H. Automjeti është ndaluar dhe kontrolluar nga shërbimet e Policisë, të cilat kanë gjetur brenda tij një sasi prej 128 copë shampo të llojeve të ndryshme si Palmolive, Pantene, etj.
Nga kontrolli i ushtruar në banesë ka rezultuar se në katin e parë të saj janë gjetur artikuj industrialë të prodhuar në atë ambjent të tilla si: shampo të mbushura dhe të ambalazhuara, detergjentë të markave ACE, Mastro Lindo, Fairy, Euromega, të mbushur, si edhe një numër i konsiderueshëm etiketash të ndryshme, stampa, shirita ambalazhi, fuçi me lëngje në ngjyra të ndryshme, tapa shishesh etj, të cilat janë sekuestruar.
Eshtë kërkuar informacion nga Drejtoria e tatimeve dhe Q.K.R-ja nga ku ka rezultuar se shtetasit A.D, L.K e A.H nuk figurojnë si subjekte tregtare të liçencuar apo të punësuar në ndonjë subjekt të tillë. A.H, nuk ka marrë pjesë në prodhimin e këtyre produkteve, pasi ai ka kryer vetëm transportin tre ose katër herë të tyre. Për këtë shërbim A.D i jepte 300 lekë të reja A.H, por, duhet theksuar fakti se, per vete rrethanat e kryerjes se kesaj veprimtarie nga shtetasi A.D dhe kryerjes disa herë të transportit të këtyre mallrave nga i pandehuri A.H, ky i fundit ka marrë dijeni dhe e ka mbajtur të fshehtë këtë veprimtari të kundërligjshme të kryer nga ky shtetas, duke mos e kallëzuar këtë krim në organet kompetente.
Prokurori pretendon deklarimin fajtor të të pandehurit A.H për kryerjen e veprës penale“Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, të parashikuar nga neni 288/a-2 i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim. Deklarimin fajtor të të pandehurit A.H për kryerjen e veprës penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, të parashikuar nga neni 149/a-2 i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 1(një) vit burgim.
Mbrojtja pretendon deklarimin e pafajshëm të të pandehurit A.H për kryerjen e veprës penale“Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë”, të parashikuar nga neni 288/a/2 i K.Penal, pasi nuk provohet që i pandehuri e ka kryer veprën penale. Pushimin e gjykimit për veprën penale“Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, të parashikuar nga neni 149 K.Penal për shkak të amnistisë të parashikuar nga Ligji Nr.141/2016.
Vendimi:
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, nga analiza në tërësi e provave të administruara krijoi bindjen e plotë se veprimet e të pandehurit A.H nuk provohet se përbëjnë elementët e figurës së veprës penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, parashikuar nga neni 149/a/2 i K.Penal dhe, për pasojë e deklaroi atë të pafajshëm. Gjykata vlerëson se ekzistojnë kushtet ligjore të parashikuara nga neni 375 i K.Pr.Penale për të ndryshuar cilësimin juridik të veprës penale për të pandehurin A.H, duke i dhënë faktit një përcaktim të ndryshëm nga ai që ka bërë organi i akuzës nga neni 288/a/2 i K.Penal në nenin 300/1 të K.Penal, nga ana e të pandehurit A.H janë konsumuar tërësisht elementët e figurës së veprës penale “Moskallzim krimi”, të parashikuar nga neni 300/1 i Kodit Penal dhe, për pasojë, e deklaroi atë fajtor për këtë vepër penale.
Arsyetimi i gjykatës:
Gjykata ka theksuar se veprimet e të pandehurit A.H nuk plotësojnë njëherazi të gjitha kërkesat e elementit të anës objektive të veprës penale të parashikuar nga neni 149/a/2 i K.Penal, pasi niveli i provave të këtij procedimi penal është i pamjaftushem për të vërtetuar akuzën e atribuar të pandehurit. Konkretisht, nuk u provua në gjykim me asnjë provë dhe tej çdo dyshimi të arsyeshëm që i pandehuri A.H të ketë kryer veprën penale të parashikuar nga neni 149/a/2 i K.Penal, e aq më tepër të provohet marrëveshja midis tij dhe shtetasit A.D për të kryer këtë vepër penale si bashkëpunëtor apo qoftë dhe në prezencë të elementit cilësues më shumë se një herë, bindja e brendshme e gjykatës në lidhje me akuzën dhe dënimin e të pandehurit, formohet jo mbi bazën e dyshimeve, por mbi prova të vërteta, që përjashtojnë dyshimet. Disa akte iniciuese të procedimit penal si kqyrja e vendit të ngjarjes, deklarime personash etj, bazë e një akuzë penale të pakonfirmuar bindshëm me prova të plota që të referojnë fakte me rëndësi për zgjidhjen e çështjes dhe provueshmërinë e kësaj akuze penale ndaj subjektit shkelës të marrëdhënies juridike të mbrojtur nga legjislacioni penal, lidhjen e drejtpërdrejtë shkakësore mes veprimeve të tij dhe pasojës së ardhur, nuk mund të shërbejnë absolutisht si një bazë e mjaftueshme për të ngarkuar me përgjegjësi penale çdo person që i atribuohet një akuzë e tillë, parim i rëndësishëm e themelor ky i një proçesi të rregullt ligjor Në vijim të këtij arsyetimi, pas shqyrtimit të provave, Gjykata konkludoi se i pandehuri A.H, duhet të deklarohet i pafajshëm për kryerjen e veprës penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, parashikuar nga neni 149/a/2 i K.Penal.
Gjykata analizon se, në mënyrë që të cenohen marrëdhëniet juridike të vendosura me ligj për të siguruar prodhimin e rregullt e ligjor të artikujve industrialë, i pandehuri A.H duhej që, me veprimet aktive të tij të prodhonte dhe nxirrte në qarkullimin tregtar për shitje e përdorim produkte industriale të prodhuara në mënyrë të kundërligjshme.
Nga ana objektive, këto veprime të kundërligjshme duhet të ishin kryer nga i pandehuri A.H nëpërmjet prodhimit të paligjshëm të artikujve dhe mallrave industrialë e konkretisht të prodhimit të shampove dhe detergjentëve në mënyrë të kundërligjshme si dhe duke i tregtuar këto produkte në treg për përdorim për publikun. Nga administrimi i provave në gjykim rezultoi e provuar se, një veprimtari të tillë e ushtronte në mënyrë të paligjshme dhe me qëllim fitimi vetëm shtetasi A.D i cili rezulton të jetë deklaruar fajtor dhe dënuar me vendimin jo të formës së prerë nr.666, datë 06.03.2017 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndërsa i pandehuri A. H, nuk ka marrë pjesë në prodhimin e këtyre produkteve, pasi ai ka kryer vetëm transportin tre ose katër herë të tyre. Por, duhet theksuar fakti se, per vete rrethanat e kryerjes se kesaj veprimtarie nga shtetasi A.D dhe kryerjes disa herë të transportit të këtyre mallrave nga i pandehuri A.H, ky i fundit ka marrë dijeni dhe e ka mbajtur të fshehtë këtë veprimtari të kundërligjshme të kryer nga ky shtetas, duke mos e kallëzuar këtë krim në organet kompetente. Nga analiza në tërësi e provave të administruara, veprimet e të pandehurit A.H nuk provohet se përbëjnë elementët e figurës së veprës penale të “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë”, të kryer në bashkëpunim e më shumë se një herë, të parashikuar nga neni 288/a/2 i K.Penal. Gjykata vlerëson se ekzistojnë kushtet ligjore të parashikuara nga neni 375 i K.Pr.Penale për të ndryshuar cilësimin juridik të veprës penale për të pandehurin A.H, duke i dhënë faktit një përcaktim të ndryshëm nga ai që ka bërë organi i akuzës nga neni 288/a/2 i K.Penal në nenin 300/1 të K.Penal.
Objekti vepres penale i pandehuri A.H me mosveprimin e tij ka cenuar marrëdhëniet juridike të vendosura me ligj për funksionimin e rregullt të organeve të drejtësisë, luftën kundër kriminalitetit për zbulimin e vjedhjeve, dhënien e drejtësisë dhe mbrojtjen e interesave e vlerave të shoqërisë në tërësi.
Nga ana objektive, kjo vepër penale është konsumuar me mosveprimin e kundërligjshëm të të pandehurit A.H, i cili, i detyruar nga ligji procedurial penal, duhet të kallëzonte në organet kompetente të Prokurorisë apo të rendit krimin e veprimtarisë së paligjshme të prodhimit të artikujve industriale të kryer nga shtetasi A.D, përsa i përket shampove dhe detergjentëve të markave të ndryshme, për të cilat shtetasi A.D nuk ëshë i liçencuar t’i prodhonte apo tregëtonte. Për këtë aktivitet i pandehuri A.H kishte marrë dijeni drejtpërdrejt nga konstatimi i kësaj veprimtarie dhe përfshirja e tij në transportimin e këtyre produkteve në tregje të pakontrolluara, produkte këto të prodhuara nga ushtrimi i kësaj veprimtarie të kundërligjshme nga shtetasi A.D.
Për shkak të njohjes me shtetasin A.D, është e kuptueshme që, i pandehuri A.H e ka mbajtur të fshehtë duke mos e treguar këtë krim, deri në momentin që është zbuluar nga shërbimet e Policisë.
Nga ana subjektive kjo vepër penale është konsumuar nga i pandehuri A.H me dashje direkte.
Subjekt i kryerjes së kësaj vepre penale është i pandehuri A.H i cili, nga hetimi gjyqësor rezultoi të jetë i përgjegjshëm dhe ka mbushur moshën për përgjegjësi penale.
Fajësia e të pandehurit A.H në kryerjen e veprës penale të “Moskallzimit të krimit”, te parashikuar nga neni 300/1 i K.Penal, në referencë edhe të nenit 152 të K.Pr.Penale rezultoi e provuar plotësisht nga të gjitha provat e sipërcituara të administruara nga gjykata në seancë gjyqësore, për sa u analizua u provua me pretendimet e palëve në seancë dhe provat shkresore të ndodhura në dosje, pjesë përbërëse e pandarë e fashikullit gjyqësor.
Lidhur me llojin dhe masën e dënimit që duhet të caktohet për të pandehurin A.H, Gjykata bazuar në nenet 47, 49 të K.Penal gjykata ka detyrimin ligjor të marrë në konsideratë faktin që kjo vepër penale përbën krim, për të cilën akuzohen të pandehurit dhe marzhin e dënimit me gjobë ose burgim deri në 3 vjet, që parashikon dispozita e ligjit material penal që lidhet drejtpërdrejt me rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale, vlerëson formën e fajit në kryerjen e veprës penale (dashje direkte), qëndrimin mohues të të pandehurit për vepren e kryer, përbërjen dhe rrethanat familjare, moshën e tij, faktin që ai është i padënuar më parë si dhe rrethanat e çështjes në tërësi.
Gjykata konkludoi se lloji dhe masa e dënimit me burgim që duhet të caktohet ndaj të pandehurit për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 300/1 i K.Penal është ajo e dënimit te tij me 2 (dy) muaj burgim, duke e ulur me 1/3 këtë masë dënimi, në bazë të nenit 406 të K.Pr.Penale, për shkak të procedimit me gjykim të shkurtuar, duke e dënuar përfundimisht i pandehuri A.H me 1 (një) muaj e 10 (dhjetë) ditë burgim.