SHOQËRIA ADOL sh.p.k KUNDËR DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË PRONËSISË INDUSTRIALE, VENDIMI NO. 972, datë 06.04.2021, SPC PËR SHFUQIZIMIN E VENDIMIT TË BORDIT TË APELIT TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË PRONËSISË INDUSTRIALE DHE VIJIMIN E PROCEDURAVE PËR SHQYRTIMIN DHE MARRJEN E VENDIMIT LIDHUR ME APELIMIN E VENDIMIT TË DHOMËS PËR SHQYRTIMIN E KUNDËRSHTIMEVE.
Objekti i padisë: Konstatimi i pavlefshmërisë relative dhe shfuqizimi i vendimit nr. 524/22 protokolli, datë 12.10.2020, i Bordit të Apelit të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale. Ndryshimin e tij duke vendosur vijimin e procedurave për shqyrtimin dhe marrjen e vendimit lidhur me kërkesën e paditësit për apelimin e vendimit të Dhomës për Shqyrtimin e Kundërshtimeve nr.524/16 prot., date 31.03.2020. Detyrimin e të paditurit të paguajë të gjitha shpenzimet gjyqësore.
Gjyqtari: XY
Fjalët kyç:
Markë, kundërshtim regjistrimi, ankim kundër vendimit administrativ.
Ligji dhe dispozitat ligjore përkatëse: Nenet 41 pika 2, gërma (b), neni 44 të Ligjit Nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr.752, datë 29.12.2018 “Për miratimin e Rregullores së organizimit, funksionimit dhe përcaktimit të masës së shpërblimit të anëtarëve të Bordit të Apelit të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale”; neni 44 pika 3 i Vendimit Nr.315, datë 31.5.2018 “Për miratimin e Rregullores për Markat”.
Faktet kryesore:
Shoqëria paditëse “Adol” shpk ka paraqitur pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale kërkesën me numër AL/T/2017/524, për regjistrimin e markës {…} (Markë fjalë), kërkesë e cila është depozituar në DPPI duke marrë si datë depozitimi, në kuptim të nenit 146 të ligjit nr.9947 “Për pronësinë industriale”, i ndryshuar, datën 01.06.2017.
Aplikanti ka kërkuar mbrojtjen e markës për mallrat e klasës 33 të Klasifikimit të Nicës, në mënyrë specifike për mallrat: Klasa 33: “Pije alkoolike (përveç birrës); brandy (distilat i verës), brendi, pije alkoolike të distiluara; likere (të bëra nga distilimi); pije dixhestive (likeret dhe pije të destiluara që nxisin tretjen), aperitive, biter, cider (musht i zier); kokteje; xhin (raki e manave të dëllinjës); likere; rum; vodka; uiski; verë; hidromel (pije alkoolike nga mjalti), përzierjet e përgatitura paraprakisht të pijeve alkoolike, të cilat nuk janë të bazuara në birrë, ekstrakte alkoolike. Kërkesa për regjistrimin e markës {…} (markë fjalë), me numër AL/T/2017/524, është publikuar në Buletinin e Pronësisë Industriale në datë 08.05.2019, në përputhje me parashikimet e nenit 151 të ligjit Nr.9947, datë 7.7.2008 “Për pronësinë industriale”, i ndryshuar.
Kundër kësaj marke është depozituar kërkesa për kundërshtimin e regjistrimit të saj nga subjekti Kantina e Pijeve {…} sh.a, më datë 30.07.2019. Dhoma për Shqyrtimin e Kundërshtimeve pranë palës së paditur, me vendimin e saj Nr.524/16 prot., datë 31.13.2020, ka vendosur: “Pranimin e kundërshtimit të regjistrimit të markës {…}, me numër aplikimi AL-T-2017-524, me aplikant shoqërinë “Adol, Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar”, dhe refuzimin e regjistrimit të saj”.
Në datën 13.7.2020, shoqëria paditëse ka depozituar pranë DPPI kërkesën drejtuar Bordit të Apelit (BA), për apelimin e vendimit të Dhomës për Shqyrtimin e Kundërshtimeve, numër 524/16 prot., datë 31.13.2020.
Sekretari i Bordit të Apelit, pasi ka kontrolluar kërkesën për apelim, ka konstatuar se asaj i mungonte dokumenti “Formulari i aplikimit për apelimin e vendimit në Bordin e Apelit” dhe me relacionin nr.524/20 prot., datë 15.08.2020, ka njoftuar Bordin e Apelit. Ky i fundit, me vendimin Nr.524/22 prot., datë 12.10.2020, ka vendosur rrëzimin e kërkesës për apelimin e vendimit Nr. prot 524/16, datë 31.3.2020 të DPPI për refuzimin e kërkesës për kundërshtimin e markës me Nr. aplikimi AL-T-2017-524.
Shoqëria paditëse, pas marrjes së njoftimit për vendimin e sipërcituar me nr.524/22 prot., datë 12.10.2020 të Bordit të Apelit pranë DPPI, i është drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë duke kundërshtuar vendimin në fjalë si të paligjshëm dhe detyrimin e palës së paditur të vijojë me procedurat për shqyrtimin dhe marrjen e vendimit lidhur me kërkesën e paditësit për apelimin e vendimit të Dhomës për Shqyrtimin e Kundërshtimeve nr.524/16 prot., datë 31.03.2020.
Paditësi pretendon se: dokumentimi i paraqitjes së ankesës në datë 13 korrik 2020 dhe fakti se relacioni i sekretarit të Bordit të Apelit është mbajtur në datën 15 Gusht 2020, me numrin vijues 524/20 të protokollit, tregojnë qartë se ankesa është pranuar dhe është proceduar pa u konstatuar ndonjë mungesë e formularit të apelimit si dokumenti fillestar që identifikon kërkesën, kërkuesin dhe procedurën. Mungesa fizike e formularit në momentin e kërkesës për apelim nuk do duhet të përbënte shkak ligjor për ndërprerjen e procedurës dhe refuzimin automatik të ankesës sepse ajo plotëson të gjitha kushtet për t’u konsideruar kërkesë, në kuptim të nenit 41 të Kodit të Procedurave Administrative. Kërkesa duhet të jetë e pranueshme në kuptim të kritereve formale ligjore dhe organi publik ka detyrimin t’i verifikojë këto kërkesa ligjore dhe t’i jepë palës mundësinë për të korrigjuar të metat eventuale, para se të vendoset për vazhdimin e procedurës dhe marrjen e një vendimi të shprehur sipas rastit, siç është parashikuar me hollësi në Rregulloren e Bordit të Apelit dhe në pikën 3 të nenit 44 të Rregullores për Markat. Vetëm mosplotësimi nga ana e palës e të metave brenda afatit të caktuar, do të çonte në deklarimin e përfundimit të procedurës pa një vendim përfundimtar mbi thelbin e çështjes.
Pala e paditur pretendon se: Bordi i Apelit ka vepruar në përputhje me parashikimet e neneve 43 dhe 44 të VKM Nr.315, datë 31.5.2018 “Për Miratimin e Rregullores për Markat” dhe se rrëzimi i kërkesës për apelimin e vendimit të Dhomës për shqyrtimin e kundërshtimeve është i drejtë, për shkak se Formulari i aplikimit për apelimin e vendimit në Bordin e Apelit së bashku me pagesën janë dokumente kyçe për vijimin e procedurës, shqyrtimin dhe vendimmarrjen e Bordit të Apelit.
Personi i tretë pretendon se: Bordi i Apelit pranë DPPI ka vepruar në përputhje me parashikimet e neneve 43 dhe 44 të VKM nr.315, datë 31.5.2018 “Për miratimin e Rregullores për markat", dhe se rrëzimi i kërkesës për apelimin e vendimit të Dhomës për Shqyrtimin e Kundërshtimeve është i drejtë dhe i ligjshëm. Formulari i aplikimit për apelimin e vendimit në Bordin e Apelit, së bashku me pagesën, sikurse përcaktohet edhe në rregulloren përkatese, konsiderohen si dokumente të domosdoshëm për vijimin e procedurës, shqyrtimin dhe vendimmarrjen e Bordit të Apelit dhe mungesa e një prej këtyre si elemente të domosdoshëm, pengon vijueshmërinë e ndjekjes së procedurës së ankimit.
Vendimi:
Gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes në shkallën e parë të gjykimit u vendos që padia të pranohet duke u shfuqizuar vendimi Nr.524/22 prot., datë 12.10.2020 i Bordit të Apelit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, si dhe duke u detyruar Bordi i Apelit të procedojë me marrjen në shqyrtim të ankimit të shoqërisë paditëse.
Arsyetimi i gjykatës: Gjykata e gjen në korrektësi të ligjit pretendimin e paditësit se ankesa e tij i plotëson kushtet për t’u konsideruar kërkesë në kuptim të nenit 41 të Kodit të Procedurave Administrative, pasi ankesa është shprehja e një kërkese të caktuar nga një person juridik; është depozituar në një organ publik; në përmbajtje është një kërkim që organi të ndërmarrë një veprim administrativ i cili nuk është ende objekt i një procedure administrative në vazhdim; për të cilën kërkuesi pretendon se ka interes të ligjshëm (bëhet fjalë për refuzimin e një kërkese të paditësit për regjistrim marke tregtare).
Gjykata vëren se, pala e paditur ka gabuar kur, pas konstatimit se mungon akti në fjalë, ka proceduar me vendim për refuzimin e ankimit, pa i dhënë mundësinë subjektit që të njoftohet për këtë konstatim dhe ta plotësojë atë. Në një procedurë administrative, organi më i lartë administrativ me kompetencë shqyrtimi të ankimeve nuk ka asnjë pengesë për t’iu drejtuar nenit 44, pika 2/b të Kodit të Procedurave Administrative sipas të cilit organi publik ndihmon në mënyrë aktive palën për plotësimin e të metave të konstatuara dhe vetëm mosplotësimi i të metave brenda afatit të caktuar përbën shkak për mospranimin e kërkesës. Për më tepër, pala paditëse e ka cituar formularin si dokument - pjesë e akteve të depozituara së bashku me ankimin pranë palës së paditur, dhe vetëm ky verifikim, duhej të kishte mjaftuar për të kërkuar Bordi i Apelit pranë DPPI plotësimin e dokumentacionit.
Gjykata vëren se qëllimi i pikës 3 të nenit 44 të Rregullores për Markat, nuk është mungesa e një dokumenti fizikisht pa i dhënë mundësinë subjektit, që, edhe nëse nuk disponohet në dosje, të mund të riparaqitet. Për këtë, VKM Nr.752 datë 19.12.2008 “Për miratimin e Rregullores së organizimit, funksionimit dhe përcaktimit të masës së shpërblimit të anëtarëve të Bordit të Apelit të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale”, ka parashikuar ndër detyrat e Sekretarit teknik të Bordit të Apelit edhe konstatimin e mangësive dhe dërgimin e njoftimeve për plotësimin e mangësive ose pasaktësive të kërkesës tek subjekti që mban barrën e plotësimit të tyre. Ky konstatim nuk është shoqëruar me dhënien mundësi të subjektit dhe vendimi në fjalë i palës së paditur nuk gjendet në përputhje me frymën e ligjit.
Nga sa më sipër, gjykata arrin në përfundimin se, padia e shoqërisë paditëse qëndron dhe duhet të pranohet, duke vendosur gjykata shfuqizimin e vendimit nr.524/22 prot., datë 12.10.2020 të Bordit të Apelit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale si dhe detyrimin e Bordit të Apelit pranë palës së paditur të procedojë me marrjen në shqyrtim të ankimit të shoqërisë paditëse. Në kuptim të efekteve të këtij vendimi, pala e paditur duhet t’i japë mundësi palës paditëse të plotësojë dokumentacionin dhe në vijim të vlerësojë mbi thelbin e ankimit të paraqitur.