SWATCH AG KUNDËR I PADITUR APPLE INC DHE DREJTORIA E PËRGJITHSHME E PATENTAVE DHE MARKAVE, VENDIMI nr. 1436, datë 27.02.2017, SHKELJA E TË DREJTAVE QË RRJEDHIN NGA REGJISTRIMI I MARKAVE
Objekti: Ndalimin e shkeljes së të drejtave të paditësit nga aplikimi i mëvonshem për regjistrimin e markës ndërkombëtare dhe shfuqizimin e pikës 2 të vendimit Nr. 8/6 datë 05.11.2005 të Bordit të Apelimit të DPPM si dhe refuzimin e aplikimit për regjistrimin e markës ndërkombëtare iWATCH, në emër të të paditurit APPLE INC.
Gjyqtari: T.H
Fjalët kyç:
Markë tregtare, ngjashmëri vizuale dhe fonetike, aplikim i mvonshëm, konfuzion, perceptim, mallra, watch, pronësi industriale, klasa 9.
Ligji dhe dispozitat ligjore përkatëse: Neni 137 (3) i Kodit te Procedurave Administrative; Ligji 9947, datë 07.07.2008 “Për Pronësinë Industriale”.
Faktet kryesore:
Paditësi, Shoqëria “SWATCH” e cila ka si aktivitetin e saj prodhimin e orëve dhe instrumentave kohëmatës, është pronar i disa markave tregtare të rregjistruara kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht. Kjo shoqëri ka marrë dijeni se në një kohë të mëvonshme është rregjistruar marka tregtare iWATCH nga APPLE INC., publikuar në BULETININ e WIPO-s, datë 2014/4 Gaz, 06.02.2014.
Në datë 26.05.2014 SWATCH ka paraqitur në Bordin e Apelimit të DPPM, kërkesën për kundërshtimin e regjistrimit të kësaj marke për shkak të ngjashmërisë së lartë në klasat 9 dhe 14 për markat SWATCH DHE ISWATCH.
Bordi i Apelimit në DPPM me vendimin nr. 8/6, datë 5.11.2015 ka vendosur pranimin pjesërisht të kundërshtimit ndaj regjistrimit ndërkombëtar për markën IWATCH, për të gjitha mallrat e klasës 14 (Metale të çmuara dhe aliazhet e tyre dhe mallra në metale të çmuara ose të veshura me to; stoli, gurë të çmuar; orë dhe instrumenta kronometrikë të tjerë).
Rrëzimin e kundërshtimit ndaj regjistrimit ndërkombëtar Nr.1191200 për markën IWATCH, për të gjitha mallrat e klasës 09 (Pajisje telekomunikacioni, transmetimi, marrje, regjistrimi dhe riprodhimi i informacionit të të gjitha llojeve të tilla si radio, telefona, televizorë).
Paditesi pretendon se vendimi 8/6 i Bordit për pikën 2 është i pabazuar në ligj dhe duhet të shfuqizohet.
I padituri pretendon se bashkëekzistenca e markave në diskutim nuk shkakton mundësi për konfuzion sipas nenit [143(2)(b) i ligjit].
Paditësi nuk provoi dot përdorimin e markave të tij për mallra të klasës 9 kështu që automatikisht padia duhet të rrëzohet dhe sikur të ekzistonte mundësia për konfuzion [173 (3) i ligjit].
Padia është parashkruar si e ngritur tej afatit ligjor.
Vendimi:
Gjykata pasi shqyrtoi cështjen në tërësi vendos rrëzimin e kërkesë-padisë.
Arsyetimi i gjykatës:
Regjistrimi i një marke në kundërshtim me kriteret e parashikuara ne ligj kundërshtohet për pavlefshmëri në Gjykatë dhe padia i kundrejtohet palës në favor të të cilës është regjistruar marka. Në funksion të kryerjes së një vlerësimi të mundësisë për konfuzion, gjykata çmon të analizohen, shkalla e ngjashmërive midis mallrave dhe shenjave, njohja e markave në treg, mundësia e bashkëlidhjes së markës.
Gjykata vlerëson se në rastin në diskutim: (i) nuk kemi ngjashmëri mes mallrave pasi ato janë të ndryshme ose shumë pak të ngjashëm; (ii) shenjat përkojnë në elementë të dobët të tyre – fjala e përbashkët “WATCH” nuk është mjaftueshëm për t’i bërë markat e ngjashme; (iii) pajisjet elektronike janë një tipar esencial i markës Apple INC që gëzon reputacion në mallrat në diskutim; (iv) shkalla e vemendjes së konsumatori në rastin e markave të kompanisë APPLE është shumë e lartë.
Në aspektin vizual shkrimi i aplikuar për markën SWATCH është një lloj i posaçëm me shkronja të rrumbullakosura që përbën edhe një element të identitetit të kësaj marke, ndërsa për markën e kundërshtuar shkrimi nuk përfaqëson ndonjë element identiteti.
Fonetikisht markat kanë elementin e përbashkët “WATCH”, ndërsa shqiptimi i fjalës SWATCH bëhet në një rrokje të vetme, shqiptimi i markes “I WATCH’ përbëhet nga dy rrokje (AJ) dhe (Uoç).
Për sa i përket ngjashmërive të tjera të pretenduara në shenja – vizuale, gjykata gjen të mbështetur qëndrimin e Bordit. Prefiksi “i” është një nga karakteret dallues të markave Apple. Shkronja "i" e shkruar me gërmë të vogël, e ndjekur nga një fjalë që fillon me shkronjë të madhe është sinonim i produkteve të Apple (iMac dhe iBook, iMovie).
Në këte proces diskutohen vetëm mallrat e klasës 9 – pajisjet eletronike dhe pala paditëse nuk provoi faktin se marka SWATCH është e mirënjohur për këto lloj paisjesh.
Prapësimi i palës së paditur se padia është ngritur tej afatit ligjor, është tërësisht i pabazuar, pasi është depozituar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë brenda afatit 30 ditor.